Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kritikuar qeverinë e Kosovës lidhur me rritjen e çmimeve të fundit, që kanë prekur derivatet.
Mustafa ka thënë se çmimet e naftës sot, janë ‘’shumë’’ dhe ‘’ të përballueshme.
‘’Kosova ka hy në një valë të re të rritjes së çmimeve. Qytetarët po ballafaqohen me një valë të ashpër të rritjes së çmimeve. Sot çmimi ka arrit në rreth 1.80 cent. Kjo është shumë, e papërballueshme. Rritja e çmimit të naftës ndikon në rritjen e kostos së transportit, në atë të prodhimit, dhe çon në rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimit, pra çon në rritjen e çmimit të të gjitha produkteve që ne i konsumojmë’’, ka thënë ai.
Ai ka thënë edhe se ekonomia e vendit dhe qytetarët kanë nevojë ‘’për dorën e shtetit’’ kundër çmimeve të fundit të cilat, ka thënë ai, ‘po e gërryejnë standardin e jetesës’’.
‘’Ekonomia ka nevojë për dorën e shtetit, qytetarët kanë nevojë për mbrojtjen e shtetit kundrejt çmimeve që po gërryejnë standardin e tyre të jetesës. Mirëpo ajo dorë e shtetit nuk po shihet. Sepse ata që qeverisn sot janë po të njëjtit që kanë qeverisë edhe në vitin 2022, kur lejuan që vala e inflacionit të shpërthente lirshëm pa asnjë reagim nga qeveria. Këtë po e bëjnë edhe sot duke qëndruar spektatorë kundrejt një rritje të ashpër të çmimeve që po ndodh’’, ka thënë ai tutje.
Deputeti i PDK’së ka theksuar se kjo parti kërkon që të ketë ulje të taksave mbi derivatet e naftës.
‘’ Është momenti që ata që e qeverisin vendin të tregojnë përgjegjësi dhe të reagojnë ndaj sfidave reale. Sot ekonomia ka nevojë për ndërhyrjen emergjente të shtetit. Ne kërkojmë ulje të menjëhershme ulje të taksave mbi derivatet e naftës. Kërkojmë masa konkrete për mbrojtje të bujqve dhe prodhuesve vendor’’, ka thënë ai tutje.

