Pas më shumë se katër dekadash në shërbim të qytetarëve, Sebahate Maliqi Rukovci, një nga emrat më të njohur të shëndetësisë në Gjilan dhe më gjerë, ka përmbyllur sot karrierën e saj profesionale si infermiere.
Me një përvojë prej 44 vitesh, ajo i ka shërbyer me përkushtim, përgjegjësi dhe dinjitet profesionit të infermierisë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në sistemin shëndetësor gjilanas. Gjatë gjithë karrierës së saj, ajo ka qenë e njohur jo vetëm për profesionalizmin e lartë, por edhe për përkushtimin njerëzor dhe afërsinë me pacientët.
Sebahate Maliqi Rukovci ka ushtruar detyrën edhe si motër kryesore, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe funksionimin e shërbimeve shëndetësore. Ajo është dalluar për sjelljen e saj shembullore, etikën profesionale dhe gatishmërinë për të qenë gjithmonë pranë pacientëve, veçanërisht në periudhat më sfiduese.
Në momentin e pensionimit, ajo lë pas kujtime të paharrueshme dhe gjurmë të pashlyera në institucionet ku ka shërbyer, si dhe në zemrat e qytetarëve që kanë pasur fatin të trajtohen prej saj.
Kontributi i saj ndër vite mbetet një model frymëzimi për brezat e rinj të profesionistëve shëndetësorë, duke dëshmuar se përkushtimi dhe humanizmi janë vlera thelbësore në këtë profesion fisnik./Radio Star/

