Në qytetin bregdetar të Ulqinit është zhvilluar me sukses gara ndërkombëtare e karatesë “Ulqini Open 2026”, ku talentet e reja nga klubi i karatesë “Agim Ramadani” kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre mbresëlënëse.
Bruna Balaj, vetëm 7 vjeç, dëshmoi potencial të jashtëzakonshëm duke u ngjitur në majat e podiumit, ndërsa Amra Demaj, tashmë një kampione e shumëfishtë, konfirmoi edhe një herë nivelin e saj të lartë duke rrëmbyer çmimin kryesor në kategorinë e saj.
Ky sukses është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm dhe punës profesionale të trajnerit Shkëlzen Balaj, i cili po udhëheq me përkushtim të madh zhvillimin e talenteve të reja. Nën drejtimin e tij, sportistët e rinj po arrijnë rezultate të rëndësishme jo vetëm në arenën kombëtare, por edhe në atë ballkanike dhe ndërkombëtare.
Trajneri Balaj u shpreh shumë i kënaqur me arritjet e sportisteve të tij, duke theksuar se këto suksese janë fryt i disiplinës, punës së palodhur dhe bashkëpunimit ekipor. Ai shtoi se pret që edhe garuesit e tjerë të klubit të vazhdojnë këtë rrugë suksesi në vitet në vijim, duke sjellë medalje dhe trofe të reja për klubin.
Ky triumf në “Ulqini Open 2026” është një dëshmi e qartë se e ardhmja e karatesë shqiptare është premtuese dhe në duar të sigurta./Radio Star/

