Pacientët vazhdojnë të shprehin pakënaqësi për shërbimet mjekësore, ndonëse numri i ankesave të dorëzuara gjatë vitit 2025 mbetet relativisht i vogël. Sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), gjatë vitit të kaluar janë pranuar gjithsej 35 ankesa nga pacientët lidhur me trajtimin nga mjekët, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në një përgjigje për Indeksonlinen, OMK-ja ka bërë të ditur se ankesat kryesisht lidhen me pretendime për sjellje jo adekuate ndaj pacientëve, por edhe me çështje administrative.
“Ju njoftojmë se gjatë vitit 2025 në Odën e Mjekëve të Kosovës janë pranuar 35 ankesa ndaj anëtarëve të OMK-së. Ritheksojmë se këto ankesa shpesh kanë të bëjnë me pretendimet për sjellje jo adekuate ndaj pacientëve apo edhe për çështje administrative, si p.sh. mospërdorimi i faksimilit në raportet mjekësore. Pra, ky numër ankesash nuk nënkupton domosdoshmërisht mosofrim të shërbimeve shëndetësore nga ana e anëtarëve të odës ndaj pacientëve”, thuhet në përgjigjen e OMK-së.
Nga kjo odë kanë sqaruar gjithashtu se, sipas Rregullores për përcaktimin e llojit të shkeljeve etike dhe procedurat e mbikëqyrjes etike, organet kompetente shqyrtojnë çdo rast dhe nëse konstatohet shkelje, shqiptohen masa disiplinore.
Këto masa kategorizohen në masa për shkelje të lehta dhe masa për shkelje të rënda, varësisht nga natyra e shkeljes së konstatuar.
“Sipas regjistrit të lëndëve që oda i mirëmban nga themelimi e deri më tani, për rastet që janë trajtuar dhe ku është vërtetuar shkelja, janë shqiptuar masa disiplinore konform kategorizimit të shkeljes, duke përfshirë masa të lehta si dhe masa disiplinore që konsiderohen si shkelje të rënda”, thuhet më tej në përgjigjen e OMK-së.
Por nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve thuhet se odat e profesionistëve shëndetësorë, pak marrin dëenime meritore, pasi që kanë një tendencë për ta mbrojtur stafin shëndetësor.
Kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve Besim Kodra, ka thënë për Indeksonlinen se odat pak marrin vendime meritore në raport me aneksat e pacientëve dhe se ka njëfarë tendence që të mbrohet stafi. Gjë që siapas Kodres i dekurajon pacientët që të ankohen lidhur me trajtimin që u ofrohet në QKUK.
“Ka ankesa dhe për trajtime të gabuara, ose shkelje profesionale që bëhen. Këto ankesa ne duhet t’i drejtojmë tek odat e profesionistëve, mjekëve e infermierëve. Problemi është se këto oda pak marrin vendime meritore, në raport me ankesat e pacientëve. Ka njëfarë tendence me u mbrojtë stafi shëndetësor, dënimet janë të ulta. E kjo i dekurajon njerëzit me bë ankesa dhe i stimulon njerëzit me u sjell në mënyrë jo etike dhe jo profesionale”, ka thënë Kodra./Indeksonline/.

