Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga e 13-të në sektorin privat aktualisht mbetet në vullnetin e punëdhënësve.
Ai theksoi se ndryshe nga sektori publik, ku kjo pagesë është realizuar pasi shteti është punëdhënës, në sektorin privat vendimi u takon bizneseve që të vlerësojnë nëse do ta aplikojnë, transmeton Zeri.info.
“Sa i përket pagës së 13-të, ne e kemi dhënë në sektorin publik sepse ne jemi punëdhënësi, i takon punëdhënësit që ta japë pagën e 13-të. Nëse ju mendoni se edhe sektori privat duhet ta bëjë këtë, ne mund ta bëjmë ndoshta këtë edhe me ligj, siç e kanë disa shtete evropiane, ne si Qeveri kemi menduar të lihet në vullnetin e punëdhënësve që të vlerësojnë për pagën e 13-të dhe i inkurajojmë që ta bëjnë këtë”, tha Murati në seancën e Kuvendit.
Megjithatë, Murati bëri të ditur se Qeveria është e hapur që kjo çështje të shqyrtohet dhe, nëse konsiderohet e nevojshme, të rregullohet edhe me ligj, duke ndjekur praktikat e disa vendeve evropiane.
“Ne jemi të hapur ta shqyrtojmë këtë edhe ta bëjmë edhe me ligj”, tha Murati.

