Të shqetësuar me vendosjen e tabelave nga KFOR-i në fshatin Karaçevë në kufi me Serbinë, banorët e kësaj ane të hënën vendosën t’i drejtohen Komunës së Kamenicës.
Banorët janë takuar edhe me zyrtarë të KFOR-it për të marrë sqarime se pse janë vendosur tri tabela në fshatin e tyre që paralajmërojnë fundin e territorit të Kosovës, raporton KTV.
Por, komandanti i KFOR-it, përgjegjës për këtë rajon, ka deklaruar se banorët nuk kanë nevoje të shqetësohen, meqë sipas tij, asgjë nuk ka ndryshuar.
“Tabelat kanë qenë gjithmonë aty, ne vetëm i kemi ndërruar, nuk ka ndryshuar asgjë nga këndvështrimi ynë dhe nuk ka nevojë për shqetësime, banorët nuk kanë nevojë të ndihen të pasigurt”, ka thënë Daniele Bajata nga KFOR-i.
Kryetari i Kamenicës, në anën tjetër, thotë se nuk kanë qenë të njoftuar për një veprim të tillë dhe paralajmërojnë një takim tjetër bashkë më banorët dhe përfaqësuesit e KFOR-it, për të kuptuar arsyen e vendosjes së këtyre tabelave.
Me gjithë deklarimet e KFOR-it se tabelat kanë qenë gjithnjë aty, tabela të ngjashme ishin larguar në vitin 2010 nga banorët, të cilët që nga përfundimi i luftës disa herë kanë alarmuar për futjen e xhandarmërisë serbe në këtë zonë.
E derisa Kosova ende nuk e ka bërë shënjimin e kufirit me Serbinë, qeveria në një përgjigje me shkrim ka thënë për KTV-në se çdo veprim i KFOR-it deri më sot është bërë në koordinim me mekanizmat e qeverisë dhe mekanizma të tjerë relevantë institucionalë.
“Mekanizmat e sigurisë bashkëpunojnë me KFOR-in në mënyrë të vazhdueshme kur është në pyetje siguria e qytetarëve”, ka thënë zëdhënësja Donjeta Gashi.
“Kufiri i ri” në Karaçevë, KFOR-i thotë se s’ ka vend për shqetësim rreth tabelave
Ndani këtë artikull