Futbolli kosovar ia ka parë hairin Dritës dhe Prishtinës. Dy skuadrat kosovare arritën rezultate të kënaqshme këtë sezon në garat evropiane, duke e rritur koeficientin e futbollit tonë në kontinentin e vjetër. Përpos që i pasuruan arkat e tyre, dy klubet bardhekaltër e larguan Kosovën nga vendi i fundit në renditje. Suksesi eventual i gjilanasve në rrethin e dytë kualifikues të Europa Leagues mund t’ia mundësojë futbollit kosovar prezantimin me tri skuadra në garat evropiane nga edicioni i ardhshëm
Drita dhe Prishtina po e ngritin lart e më lart futbollin kosovar. Kampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës bënë paraqitje të kënaqshme në garat evropiane këtë edicion, shkruan sot gazeta Zëri.
Të dyja ekipet e kaluan me sukses fazën parakualifikuese në Ligën e Kampionëve përkatësisht Europa League dhe kjo ka bërë që këto dy skuadra ta rrisin koeficientin e futbollit kosovar.
Vitin e kaluar prishtinasit dhe Trepça ’89 ishin eliminuar qysh në rundin e parë, pa e kaluar asnjë xhiro, gjë që kishte bërë që këtë vit ekipet kosovare të nisin gjithçka nga parakualifikimet.
Mirëpo Drita e fitoi turneun në Gjibraltar, derisa Prishtina e eliminoi ekipin e këtij vendi, Europa FC, për të kaluar të dyja në rrethin e parë.
Fatkeqësisht, prishtinasit u eliminuan me penallti në rundin e parë kualifikues të Europa League nga CF Fola Esch, kurse gjilanasit nga Malmo në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, Drita vazhdon garat në rrethin e dytë kualifikues të Europa Leagues, ku do të luajë me kampionin e Luksemburgut, F91 Dudelange.
Nga 4 ndeshje sa i zhvilloi sivjet, prej tyre 1 fitore e 3 barazime, Prishtina i ka grumbulluar 2,5 pikë, për fitore 1 pikë dhe për barazime 1,5 pikë (0.5 pikë për barazim).
Edhe me dy fitoret e Dritës, pra 2 pikë, dy skuadrat tona Kosovës ia kanë siguruar 4.5 pikë e që në ranglistën e koeficientit për shtete Kosovës i është sjellë koeficienti nga 0 në 0.450 duke e kaluar San Marinon dhe me ndonjë rezultat pozitiv të Dritës kundër F91 Dudelange do të kalohet edhe Andorra.
Ndërsa, Prishtina vitin e kaluar kishte marrë për pjesëmarrje 0.250 koeficient, por Kosova s’kishte fituar pikë sepse kishte pësuar humbje në dy ndeshje.
Kurse sivjet me kalimin e rundit Prishtina i ka siguruar vetes koeficient 1 dhe tani ka koeficient prej 1,250.
Ky koeficient e ka ngritur Prishtinën nga pozita e parafundit e klasifikimit, respektivisht prej vendit 596 në atë 589.
Megjithatë, as suksesi i kalimit të rundit preliminar dhe as sigurimi i pikëve për Kosovën nuk e ka larguar Prishtinën, momentalisht, nga garat preliminare të edicionit të ardhshëm.
Sidoqoftë, dy skuadrat e Kosovës, Prishtina dhe Drita, kanë arritur pikë të jashtëzakonshme për shtetin tonë duke e ngritur nga 0 në 0,450 çka duhet vlerësuar lart dhe do të shërbejë shumë në të ardhmen për të gjitha skuadrat kosovare.
Drita mund t’i përmirësojë edhe më shumë këto statistika.
Pasurohen Drita e Prishtina
Pjesëmarrjes në garat evropiane ia kanë parë hairin dy klubet kosovare, shkruan Zëri.
Drita, e cila ende është në garë, deri më tash e ka kaluar shifrën prej afro 1 milion eurosh përfitime.
Kampioni i Kosovës i ka fituar 450 mijë euro nga UEFA që është shpallur kampion dhe 230 mijë për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve.
Gjilanasit u pasuruan edhe me 260 mijë euro për turneun parakualifikues që e fituan në Gjibraltar, ndërsa 50 mijë euro i kanë fituar nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe “Supersport” për shpalljen kampion dhe nga të drejtat televizive.
Në total, i bie që Drita deri më tash i ka fituar 990 mijë euro.
Nga ana tjetër, FC Prishtina nga pjesëmarrja në Evropë i ka fituar afro gjysmë milioni euro.
Bardhekaltrit i kanë fituar 220 mijë euro vetëm për pjesëmarrje në Europa League, ndërsa janë pasuruar edhe me 240 mijë euro pas triumfit në fazën preliminare ndaj ekipit FC Europa nga Gjibraltari.
Prishtinasit kanë fituar edhe për fitimin e Kupës së Kosovës dhe nga të drejtat televizive, që i bie se ata i kanë fituar afro 500 mijë euro në total.
Dritës mund t’i fryhet ende kuleta
Drita mbetet ende në garë në garat evropiane dhe kjo nënkupton se klubit gjilanas mund t’i fryhet kuleta edhe më shumë.
Sipas rregullave të UEFA-s, klubi nga Anamorava do t’i fitojë edhe 280 mijë euro të tjera në rast se e eliminon ekipin nga Luksemburgu, F91 Dudelange dhe kalon në rrethin e tretë kualifikues të Europa Leagues, ku ra pasi u eliminua në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve nga Malmo. /Zëri/