Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e të enjtes, që e ka udhëhequr Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese, ka vendosur që raportin e kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor, raportin financiar për të njëjtën periudhë si dhe raportin e auditimit, t`i shtyjë për të hënën, ndërkaq ka miratuar me disa vërejtje strategjinë e veprimit për fëmijë (2018-2021), bashkë me rregulloren për të drejtat e fëmijëve, vendimin për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme private të pronarit Reshat Syla në zonën “Gllama”, si dhe vendimin për caktimin e lokacionit për fushën sintetike të futbollit në lokacionin afër Livoçit të Epërm, ndërsa për fushën tjetër, që ishte caktuar të jetë ndërmjet fshatrave Velekincë dhe Livoç i Poshtëm, u vendos që të shtyhet për më vonë, pasi të bëhen konsultime shtesë sa i përket lokacionit.
Në të vërtetë, për shkak të mungesës së tre këshilltarëve komunalë nga radhët e koalicionit qeverisës (LDK-AAK), të cilët nuk janë zëvendësuar ende nga KQZ-ja, opozita (LVV, PDK e Nisma) ka arritur ta imponojë rrjedhën e seancës, përfshirë edhe vazhdimin e saj të hënën.
Me insistimin e opozitës dhe në dakordim me shefat e grupeve tjera, fillimisht Kuvendi e ka ndryshuar renditjen e pikave, duke i zhvendos për fund, raportin e kryetarit, raportin financiar si dhe raportin e auditimit, meqë kryetari i Komunës, për shkak të obligimeve tjera, nuk mund t`i bashkëngjitej seancës para orës 14:30.
Pas një konsultimi me shefat e grupeve, kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi – Emini ka thënë se janë dakorduar që të ndryshojnë renditjen e pikave, për t`i dhënë mundësi kryetarit të Komunës që të arrijë në seancë dhe të paraqes raportin e punës.
Megjithatë, opozita e ka ndryshuar qëndrimin e saj në momentin kur duhej të shqyrtohej raporti i kryetarit dhe ka kërkuar që Kuvendi t`i ndërpresë punimet dhe të vazhdojë të hënën, ose ndonjë ditë tjetër, me arsyetim se, siç ka thënë në emër të tri grupimeve politike, Riza Abdyli (PDK), janë të lodhur për sot.
Kryetari Lutfi Haziri tha se ai është i gatshëm të vijë dhe të raportojë për punën e tij, kurdo që Kuvendi vendos të mbajë seancën.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal nuk e ka mirëpritur këtë qëndrim të opozitës, duke i rikujtuar ata se po e thyejnë një marrëveshje që kishin bërë paraprakisht për të ndryshuar rendin e punës.
Përndryshe, sa i përket vendimit për këmbimin e pronës komunale, me pronën private, që u miratuar nga Kuvendi, Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës, ka sqaruar se këmbimi bëhet në bazë të planit rregullues urban, ndërkohë që te propozim-vendimi për caktimin e lokacioneve për dy fusha sintetike, ndryshimi me vendimin e mëparshëm, i cili duhet të anulohet në Kuvend, ka të bëjë me kërkesën e FFK-së për rritje të sipërfaqes.
Në Livoç të Epërm, ku është caktuar njëri prej lokacioneve, ka mundësi për rritje të sipërfaqes, ndërkaq në Velekincë është dashur të ndryshohet lokacioni, meqë kjo mundësi nuk ka ekzistuar, ka thënë Berisha.
Në pjesën e pyetjeve të kuvendarëve, këshilltarët Shefik Surdulli, Riza Abdyli, Ibish Ibishi, Arijeta Rexhepi, Xhelal Hajrullahu, Arbëresha Hyseni, Arta Nuhiu, Nevzad Isufi, Bujar Nevzati, Nehat Osmani, Mimoza Kadriu, Avdyl Aliu, Fesat Shabani dhe të tjerë, kanë ngritur çështje të ndryshme dhe kanë marrë përgjigje nga nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli si dhe drejtorët Naser Korça, Selami Xhemajli, Ramiz Ramadani, Valbona Tahiri, Zijadin Maliqi e Nevzad Rushiti.
Sa i përket pyetjes rreth kompanisë “Ecohigjiena”, nënkryetari Ismajli është shprehur optimist se do të gjejnë një zgjidhje për mosmarrëveshjet e deritashme, meqë shumica e paqartësive janë sqaruar tashmë në takimet e fundit me partnerin austriak, ka thënë ai.