Pas një pune të suksesshme me dekada në Spitalin rajonal të Gjilanit është pensionuar Dr. Ajhane Gashi – Sefiu specialiste e mikrobiologjisë dhe e parazitologjisë.
E lindur në Gjilan në vitin 1961, ajo ndërtoi një rrugëtim të pasur arsimor e profesional, duke nisur nga bankat e shkollave fillore e të mesme të qytetit të saj, për të diplomuar më pas në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin 1988.
Rrugëtimi i saj mori një drejtim edhe më të specializuar përmes studimeve në Nish dhe Beograd, ku u titullua Specialiste e Mikrobiologjisë me Parazitologji.
Për 31 vite me radhë, Dr. Sefiu u bë një shtyllë e palëkundur e shëndetit publik në rajonin e Gjilanit, duke shërbyer me devotshmëri nga qershori i vitit 1999 si mikrobiologe dhe udhëheqëse e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik.
Kontributi i saj i pashlyeshëm në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve ka lënë gjurmë të thella në institucion dhe në zemrat e kolegëve, të cilët sot e përcjellin me respektin dhe mirënjohjen më të lartë.
Kjo festë e dyfishtë, ku gëzimi i ditëlindjes gërshetohet me nderimin për një karrierë brilante, shënon fillimin e një kapitulli të ri e të merituar të qetësisë dhe lumturisë në jetën e saj.

