Aktori shqiptar Ridvan Murati ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij artistike, pasi filmi “HELDIN” u shpall “Filmi më i Mirë në Zvicër” në edicionin jubilar të 50-vjetorit të Prix Walo.
Gjatë ceremonisë prestigjioze, Ridvan Murati u ngjit në skenë së bashku me producentin Lukas Hobi për të pranuar çmimin, i cili konsiderohet ndër vlerësimet më të rëndësishme në industrinë zvicerane të filmit dhe artit.
Në fjalën e tij emocionuese, aktori falënderoi të gjithë ekipin realizues, bashkëpunëtorët, familjen dhe miqtë për mbështetjen e vazhdueshme.
“Ishte një kënaqësi dhe nder i veçantë të jem në skenë së bashku me të gjithë fituesit e tjerë. Falënderoj gjithë ekipin, familjen dhe miqtë që gjithmonë më kanë qëndruar pranë”, u shpreh Ridvan Murati pas marrjes së çmimit.
Filmi “HELDIN” po konsiderohet një nga projektet më të suksesshme të vitit në Zvicër, duke marrë vlerësime të shumta si nga publiku ashtu edhe nga kritika profesionale./Radio Star/

