Brenda këtyre hapësirave zhvillohet procesi mësimor.
Por shumë nxënës në Kosovë i lanë të zbrazëta bankat shkollore.
Afër 4 milionë mungesa u evidentuan në gjysmë-vjetorin e parë të vitit shkollor 2025/2026, ku prej tyre 1 milionë janë pa arsye.
E këto shifra kanë alarmuar edhe Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë, të cilët kanë nisur një aksion nga e hëna.
“Të vizitojmë sa më shumë shkolla gjatë kësaj jave nëse jo të gjitha, për të parë se a po evidentohen, kemi një klasë me 30 nxënës, a janë 30 në klasë, a janë shënuar ata që nuk janë aty, nëse janë shënuar që mungojnë pesë a janë njoftuar prindërit.. dhe cili është komunikimi që ne po e ndërtojmë me prindërit”, ka thënë Shahini.
Sipas Shahinit, përderisa në nivel vendi janë afër 4 milionë mungesa, në kryeqytet numërohen diku mbi 400 mijë mungesa.
Kjo, sipas tij, po ndodh për disa arsye.
“Në arsimin fillor janë kryesisht prindërit ata të cilët shkëpusin nxënësit nga procesi mësimor duke i koordinu për pushimet e tyre. Pastaj janë edhe aktivitete kurrikulare që ndikojnë në pushime. Në shkollimin e mesëm pastaj situata është pak më kritike se ka shumë nxënës që nuk i japin llogari as shtëpisë e as shkollës”, u shpreh tutje Shahini.
Mirëpo arsyeje tjetër ka përmendur drejtori i shkollës “Ahmet Gashi”, po në Prishtinë.
“Problemi kryesor është tek përgjegjësia, për shembull kujdestari i klasës nuk ka asnjë benificion që ai që të vlerësohet që është kujdestar i klasës dhe natyrisht e neglizhojnë për shkak të pagesës që i bëhet e nëse ne ja marrim një klasë ai veç gëzohet ai veç te thotë faleminderit që ma morë klasën, po të kish qenë mu pagu më shumë gjendja kish ndryshu”, ka thënë Metaj.
Kurse eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci tregon se mungesat e paarsyeshme zakonisht vijnë nga një kategori e ndjeshme e shoqërisë.
“Kam varjet që numri i mungesave të paarsyeshëm është shumë më i madh në ato shkolla ku ka numër më të madh të përfituesve të asistencës sociale, pra bëhet fjalë për kategoritë e fëmijëve që vijnë nga kategoritë sociale të pa-favorizuara, prandaj duhet edhe të analizuar me kujdes edhe nivelin e komunave tjera edhe nivelin e shkollave”, theksoj Pupovci.
Në Kosovë, në nivelin e fillor dhe atë të mesëm llogariten të jenë 280 mijë nxënës./teve1

