Numri një i BE-së për zgjerim, Marta Kos, do të qëndrojë në Kosovë, të premten.
Në fakt, komisionerja sllovene, vjen në Prishtinë, siç merr vesh KosovaPress, të enjten mbrëma, direkt nga Londra, ku gjatë ditës ka paraparë të ketë dy takime.
Në Kosovë ndërkaq, ajo ka planifikuar të realizojë tri të tilla.
Dy nga to janë me përfaqësuesit “në detyrë” të institucioneve.
Njëri nga ta, sipas një agjende të bërë të ditur nga Komisioni Evropian, do të jetë më ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
I dyti me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Me këtë të fundit, siç merr vesh KosovaPress, ka parapare edhe një dalje para medieve, në orën 11 e 30.
Takimi i tretë i Kos në Prishtinë nuk është planifikuar të jetë me përfaqësues të opozitës, por me ata të shoqërisë civile.
Vizita e së premtes në Kosovë do të jetë e para për komisioneren për zgjerim në BE, prejse ajo mori detyrën, në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh ndonjë vizitë në vendet tjera të rajonit, para ose pas qëndrimit në Prishtinë.
Kos kishte planifikuar një vizitë në Kosovë më 12 mars, por ajo u anulua për shkak të zhvillimeve politike të atyre ditëve – presidentja Vjosa Osmani pati nxjerrë një dekret për shpërndarje të Kuvendit, më 6 mars meqenëse ky organ shtetëror nuk ia doli ta zgjedh kryetarin e shtetit, një ditë me herët, kur ishte afati i fundit për ta bërë një gjë të tillë.
Vizita e së premtes i bie të realizohet tri javë para zgjedhjeve të reja që mbahen në Kosovë, më 7 qershor
Komisionerja për zgjerim e BE-së vjen në Prishtinë tri ditë pas deklaratës së fortë shpresëdhënëse që bëri gjatë një takimi të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor (ku bëjnë pjesë shtate vende anëtare të Unionit, përfshirë shtetet mosnjohëse të Kosovës – Sllovakinë dhe Greqinë) në Bratisllavë të Sllovakisë, ku tha që siguria evropiane është e lidhur ngushtë me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë, po ta quaj, të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën, për shembull, Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, tha ajo.

