Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, së bashku me Drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka realizuar një vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë ku është pritur në takim nga Ushtruesi i Drejtorit të kësaj qendre z. Salih Ademi.
Gjatë kësaj vizite, Ministrja Gërvalla u njoftua nga afër me kushtet e paraburgimit, trajtimin e të paraburgosurve si dhe me punën e stafit korrektues.
Ministrja Gërvalla tha se funksionimi i sistemit korrektues është tregues i drejtpërdrejtë i forcës së shtetit të së drejtës.
“Funksionimi i Qendrës Operative, Njësisë për Vlerësim dhe Klasifikim, Njësisë së Transportit dhe Njësisë për Inteligjencë Korrektuese përbën boshtin operacional të sistemit korrektues dhe garanton menaxhim të koordinuar dhe efikas të proceseve brenda institucioneve korrektuese”, tha Ministrja Gërvalla.
Tutje ajo deklaroi se forcimi i koordinimit institucional, rritja e kapaciteteve operative dhe konsolidimi i mekanizmave të sigurisë dhe mbikëqyrjes mbeten prioritet për avancimin e standardeve dhe funksionalitetit të sistemit korrektues.
“Angazhimi ynë është i pakompromis dhe i pandërprerë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, forcimin e besimit në institucione dhe garantimin e sigurisë publike në Republikën e Kosovës”, tha Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla po ashtu vizitoi ambientet e burgut, duke u informuar për funksionimin e tij dhe shërbimet e ofruara, me qëllim të sigurimit të mirëqenies dhe trajtimit të drejtë të të gjithë të burgosurve.

