Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga sot ka filluar periudha e votimit përmes postës për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, ndërsa procesi do të zgjasë deri më 6 qershor 2026.
KQZ-ja ka sqaruar hapat që duhet ndjekur nga votuesit për realizimin e votimit me postë, ku planifikohet të shpërndahen rreth 105 mijë pako.
Sipas institucionit, pakoja me fletëvotim do të dërgohet në adresën e banimit të votuesit.
Pas pranimit të saj, qytetarët duhet të plotësojnë fletëvotimin, ta vendosin atë në zarfin e fshehtësisë dhe më pas bashkë me dëftesën e regjistrimit ta fusin në zarfin kthyes.
KQZ ka bërë të ditur se votuesit duhet të shënojnë adresën e kutisë postare përkatëse dhe ta dërgojnë zarfin përmes postës, duke theksuar se ai duhet të arrijë në kutinë postare të vendit përkatës jo më larg se 6 qershor 2026.

