Një grup prej 15 studentësh të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe 6 profesorësh të Universitetit Publik “Kadri Zeka” kanë nisur realizimin e një vizite studimore njëjavore në Strasbourg të Francës, në një prej qendrave më të rëndësishme politike dhe institucionale të Evropës. Kjo vizitë është një hap i rëndësishëm në fuqizimin e dimensionit praktik ndërkombëtar të universitetit dhe në afrimin e studentëve me institucionet dhe proceset vendimmarrëse evropiane.
Delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka” u kryesua nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe përbërje nga Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, Prodekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Ass. Dr. Blerim Haziri, profesori Prof. Dr. Dukagjin Leka, prof. Ass. Dr. Refik Ramadani dhe asistentja PhD(c). Arnesa Sahiti.
Gjatë ditës së parë të vizitës, studentët dhe stafi akademik realizuan dy vizita me rëndësi të akademike. Fillimisht, grupi vizitoi Parlamentin Evropian në Strasbourg, ku pati mundësinë të takohej dhe të bashkëbisedonte me eurodeputetë të njohur, përfshirë eurodeputetin austriak Lukas Mandl dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve evropiane. Studentët u njohën nga afër me funksionimin e Parlamentit Evropian, proceset vendimmarrëse, organizimin institucional dhe rolin që ky institucion luan në zhvillimet politike dhe demokratike të evropës.
Një moment i veçantë i kësaj vizite ishte pjesëmarrja në promovimin e librit më të ri të ish-Kancelarit të Austrisë, Wolfgang Schussel, i organizuar në ambientet e Parlamentit Evropian. Në librin e tij, Schussel trajton vizionin dhe sfidat e së ardhmes së Evropës. Në mes tjerësh, studentët dhe profesorët patën mundësinë të zhvillonin diskutime të drejtpërdrejta me ish-kancelarin austriak, duke ndarë mendime dhe pikëpamje mbi zhvillimet aktuale në Bashkimin Evropian, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Në kuadër të vizitës studimore, grupi realizoi gjithashtu një takim në Qendrën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg të Francës, një organizatë e njohur për angazhimin e saj në promovimin e të drejtave të njeriut, edukimit qytetar dhe fuqizimit të të rinjve në nivel evropian. Organizata zhvillon projekte në fusha si demokracia, dialogu ndërkulturor, luftimi i diskriminimit dhe mbështetja e grupeve vulnerabël. Delegacioni i UKZ-së u prit nga z. Isuf Halimi, Drejtor Ekzekutiv i organizatës, me të cilin u diskutuan sfidat aktuale me të cilat po përballet Evropa dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor në aspektin e demokracisë, integrimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Gjatë takimit u shpreh gatishmëria për bashkëpunime të mundshme akademike dhe projekte të përbashkëta në të ardhmen.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, vlerësoi se kjo vizitë studimore përbën një prej nismave më domethënëse të fakultetit në drejtim të ndërkombëtarizimit dhe krijimit të mundësive konkrete për studentët. Ai falënderoi Rektorin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme në realizimin e kësaj vizite.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe eurodeputetit austriak Lukas Mandl, i cili, përmes stafit të tij, mundësoi dhe aranzhoi në mënyrë profesionale realizimin e vizitës studimore në Strasbourg të Francës, duke krijuar mundësi që studentët dhe stafi akademik i UKZ-së të zhvillojnë takime dhe aktivitete në institucione të rëndësishme evropiane.
Po ashtu, falënderime të sinqerta iu shprehën edhe donatorëve dhe mbështetësve që kontribuan në realizimin e këtij projekti studimor, veçanërisht kompanisë Cure Medica, e cila mbuloi pjesën më të madhe të shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit në Francë, si dhe donatorëve të tjerë: Interex SHPK, Trocal Interplast, FC Drita, Vali Ranch Resort, Hector Kuzhina, Globi M.I., Linda Group, Bujana Restaurant, Toska Electronics, 3E Group, Duo Market, Abetarja, Mobicasa, ASK Foods, Ceni Company, Melsia Meat, Drita Security, Bebe Omi, Premium Meat dhe Luli 93, të cilët mundësuan mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit për studentët gjatë kësaj eksperience akademike.
Ky projekt konsiderohet si një nga iniciativat e para të kësaj natyre në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe paraqet një dëshmi të qartë të orientimit të universitetit drejt ndërkombëtarizimit, praktika akademike dhe krijimit të përvojave transformuese për studentët.
Vizita studimore do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me aktivitete dhe takime të tjera në institucione të rëndësishme evropiane dhe akademike në Strasbourg.

