Pavarësisht se rregullorja e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) parasheh një limit standard prej 20 eurosh për shpenzimet jashtë pakove mujore të telefonisë mobile, përdoruesit në Kosovë po vazhdojnë të përballen me raste ku ky prag tejkalohet, shpesh pa e kuptuar me kohë.
Sipas ARKEP-it, operatorët janë të obliguar t’i njoftojnë konsumatorët kur kalojnë në tarifim shtesë pas konsumimit të pakove të internetit. Megjithatë, praktika aktuale lejon vazhdimin automatik të internetit përmes tarifimit standard “Pay As You Go”, gjë që sipas qytetarëve po çon në humbje të konsiderueshme financiare.
Rregullatori ka konfirmuar për Buletinin Ekonomik se gjatë vitit 2026 kanë pranuar dy ankesa nga konsumatorët lidhur me tarifimet pas skadimit të pakove të internetit. Sipas ARKEP-it, rastet janë trajtuar në bazë të dispozitave të Rregullores Nr. 61 për Kontratat, Transparencën, Publikimin e Informatave dhe Masat e tjera Mbrojtëse për Përdoruesit Fundorë të Shërbimeve të Komunikimeve Elektronike.
“Gjatë vitit 2026, ARKEP ka pranuar 2 ankesa nga konsumatorët lidhur me tarifimet pas skadimit të pakove të internetit”, kanë deklaruar nga ARKEP.
Sipas nenit 3 të kësaj rregulloreje, kufiri standard i konsumit financiar për shfrytëzimin e internetit jashtë pakove (“pay-as-you-go”) është 20 euro. Ky limit, sipas ARKEP-it, vlen si për përdoruesit me kontratë mujore (postpaid), ashtu edhe për ata me parapagim (prepaid), përfshirë edhe përdoruesit që nuk kanë pako aktive.
“Sipas neni 3, paragrafët 2.2 dhe 2.2.1, i Rregullores Nr.61 përcakton qe kufiri i konsumit financiar për shfrytëzimin jashtë pakove (pay-as-you-go) për përdoruesit fundorë në rrjetet mobile, si parazgjedhje është 20 euro”.
Megjithatë, vetë ARKEP pranon se ky limit është tejkaluar në dy raste konkrete dhe se konsumatorët janë kompensuar për shumën mbi pragun e lejuar.
“Në këto raste, ARKEP ka kërkuar zbatimin e Rregullores Nr. 61, dhe konsumatorët janë kompensuar për vlerat e faturuara mbi kufirin e lejuar.”
Kjo nënkupton se, ndonëse rregullorja synon ta ndalojë tejkalimin e pragut prej 20 eurosh pa kontrollin e përdoruesit, raste të tilla po ndodhin edhe në praktikë.
Edhe qytetarët besojnë se numri real i rasteve është dukshëm më i madh sesa ankesat zyrtare të paraqitura në ARKEP.
“Mbi 20 herë Vala ma ka bo të njëjtën, domethënë sa i kam pas komplet i ka harxhu pa asnjë njoftim paraprak”, thotë Gëzimi nga Prishtina.
Përkundër kësaj, Gëzimi thotë se është ankuar çdo herë vetëm përmes telefonit në Vala, por asnjëherë nuk ka bërë ankesë zyrtare.
Edhe përdorues të tjerë thonë se pasi u harxhohet kredia, ata thjesht e rimbushin telefonin dhe vazhdojnë përdorimin, pa e dërguar ankesën formale tek operatori apo rregullatori.
“Shumica edhe nuk ankohen fare. Veç e mbushin telefonin prapë dhe vazhdojnë. Po edhe nëse shkon me u anku në zyrë, nuk e shkruajnë ata si ankesë taman, pa ua dërgu si ankesë të shkruar”, thotë Arditi, klient i IPKO-s, që thotë se humbi disa euro kredi brenda një kohe të shkurtër pasi i kishte skaduar oferta mujore.
Ndërkohë, ARKEP sqaron se rregullorja aktuale e përcakton limitin prej 20 eurosh si masë mbrojtëse për konsumatorët, por përdoruesit kanë të drejtë ta ndryshojnë këtë kufi në marrëveshje me operatorin.
“Ky kufi është i vendosur si parazgjedhje në vlerën prej 20 euro. Përdoruesi fundor ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e këtij kufiri, në përputhje me procedurat dhe kushtet e përcaktuara në kontratën me ofruesin e shërbimit”, shpjegojnë tutje nga ARKEP.

