Emisioni investigativ “Alert” i gazetarit Granit Sokolaj ka raportuar për një skandal që lidhet me importin e mishit nga Brazili në Kosovë dhe depërtimin e tij edhe në tregun shqiptar përmes Kosovës, duke ngritur dyshime serioze për cenim të sigurisë ushqimore dhe mashtrim të konsumatorëve.
Sipas hulumtimit disa mujor të realizuar nga Qendra ALERT, në Kosovë importohen miliona kilogramë mish gjedhi nga stabilimente braziliane që nuk janë të miratuara nga Bashkimi Evropian. Në raport thuhet se, ndonëse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka deklaruar vazhdimisht se mishi importohet vetëm nga stabilimente të aprovuara nga BE-ja, realiteti rezulton ndryshe.
Madje, sipas dokumenteve dhe komunikimeve të siguruara nga emisioni, vetë AUV-ja ka pranuar se në Kosovë nuk ekziston legjislacion që ndalon importin e mishit nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Evropian.
Investigimi ngre dyshime edhe për mënyrën se si ky mish depërton në Shqipëri. Sipas raportimit, qindra ton produkte si sallamë, suxhukë, qofte dhe pleskavica me origjinë nga Brazili futen në tregun shqiptar përmes Kosovës, duke u paraqitur si produkte “Made in Kosova”, megjithëse origjina reale e mishit mbetet Brazili, transmeton Zeri.info.
Në këtë mënyrë, sipas investigimit, anashkalohen kufizimet që Shqipëria ka për importin e mishit nga stabilimente braziliane të pacertifikuara nga BE-ja.
Zëri ka ditë që i është drejtuar me pyetje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë lidhur me pretendimet e ngritura në hulumtim, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucioni përgjegjës për kontrollin dhe sigurinë ushqimore në Kosovë.
Hulumtimi i plotë i emisionit “Alert” është realizuar gjatë afro tre muajve dhe përfshin dokumente, statistika, komunikime zyrtare dhe të dhëna institucionale që lidhen me zinxhirin e importit të mishit nga Brazili në Kosovë dhe rajon.
Më poshtë mund të ndiqni emisionin e plotë “Alert” në lidhje me rastin.

