Njohësi i ekonomisë dhe profesori Burim Berisha thekson rëndësinë e qarkullimit të parasë brenda vendit si faktor kyç në forcimin e ekonomisë së Kosovës.
Sipas tij, ekonomia vendore forcohet atëherë kur paraja mbetet dhe shpenzohet brenda tregut të brendshëm. Në këtë kontekst, ai vë në pah dallimin mes politikave të ndryshme ekonomike dhe efektit të tyre real në konsum dhe qarkullim financiar.
Profesori Berisha thekson se paga e 13-të në sektorin publik, ndonëse ka ndihmuar një kategori të caktuar qytetarësh, një pjesë e konsiderueshme e atyre mjeteve është shpenzuar jashtë vendit, kryesisht për pushime apo konsum në ekonomi të huaja. Kjo, sipas tij, e zvogëlon efektin multiplikativ në ekonominë vendore.
Në anën tjetër, ndihma prej 100 euro për qytetarët, sipas tij, krijon ndikim më të drejtpërdrejtë në ekonominë e brendshme, pasi këto mjete shpenzohen menjëherë në markete, barnatore dhe biznese lokale. Kjo rrit qarkullimin e parasë brenda vendit dhe mbështet drejtpërdrejt sektorin privat vendor.
“Paraja që qarkullon në Kosovë, e forcon Kosovën,” është mesazhi thelbësor i analizës së tij, duke theksuar rëndësinë e politikave që stimulojnë konsumin e brendshëm dhe mbajnë kapitalin brenda ekonomisë së vendit.

