Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prill deri më 25 maj 2026 në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 20 raste të fruthit.
Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar edhe 2 raste të reja.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, rastet janë shpërndarë në disa komuna: Ferizaj (7 raste), Prishtinë (4), Kaçanik (4), si dhe nga një rast në Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan, Shtime dhe Obiliq.
Të gjitha rastet e konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR dhe kanë kërkuar trajtim spitalor, bëhet e ditur nga institucioni shëndetësor.
IKShPK u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë dhe rrufë të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore.
Duke theksuar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, IKShPK u bën apel prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin në qendrat e mjekësisë familjare.
Sipas institutit, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e përhapjes së fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
