Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është vetëprononcuar mbi vendimin e djeshëm të qeverisë në detyrë për subvencionimin e linjave ajrore për destinacione të caktuara ku jeton mërgata jonë.
Ai tha se ndarja e 2 milionë eurove ka për qëllim subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin “Adem Jashari” me aeroportet prej nga vijnë mërgata jonë, dhe mbulon periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit, që është deri në fund të muajit tetor.
“Pra nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit, e cila mundëson që mërgata jonë të mund të vijnë e të na vizitojnë edhe këtë verë, sikurse çdo vit”, deklaroi Kurti në një postim në Facebook.
Për më tepër, ai tha se këtë e bëjnë shumica e shteteve ne rajon e më gjerë, me qëllim nxitjen e turizmit.
Tutje, ai tha se këtë vit ka pasur rrezik që mërgata të mos ketë mundësi të vijë në Kosovë për pushime verore, prandaj tha se vendimi i qeverisë ishte i domosdoshëm.
“Me mërgatën tonë të mrekullueshme që nuk humb asnjë vit pa ardhur në vendlindje, ne e kemi edhe një arsye më shumë që ta bëjmë këtë. E përballë rrezikut që një pjesë e fluturimeve të planifikuara gjatë muajve korrik dhe gusht të anulohen për shkak të rritjes së kostos së karburantit, vendimi ynë i djeshëm për të subvencionuar linjat ajrore që lidhin destinacionet e mërgatës sonë u bë i domosdoshëm”, deklaroi kreu në detyrë i qeverisë.
Ai tha se anulimi i fluturimeve në muajt e verës, do të nënkuptonte që një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve të mos mund të vinin, siç vijnë zakonisht në muajt korrik dhe gusht. “E kjo do të ishte keq për ta dhe familjet e tyre, por do të ishte fatale edhe për ekonominë e vendit. Prandaj kam angazhuar ministrat Hekuran Murati dhe Dimal Basha për të parë mundësinë e një mase që do ta parandalonte një situatë të tillë”.
Mbrëmë, qeveria në detyrë e Kosovës, njoftoi se ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën tha se ka “ndarë mjete buxhetore në shumë prej 2,000,000.00 € (dy milionë euro), për zbatimin e Masës 4.5 ‘Mbështetja e Mërgatës’ të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”.

