Procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht përmes postës, po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të mërkurën në orën 10:00 janë shqyrtuar mbi 7 mijë pako të supozuara me fletëvotime. Prej tyre, 7,153 janë aprovuar, ndërsa 142 janë refuzuar.
Sipas Elezit, arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe që KQZ-ja ua dërgon votuesve të regjistruar për votim përmes postës. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 114 pako.
“Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor në orën 16:00 dhe synon të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Elezi.

