Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në kuadër të Samitit Ekzekutiv të Futbollit të FIFA-s.
Përmes një postimi, Ademi bëri të ditur se gjatë takimit me kreun e futbollit botëror është diskutuar për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FIFA-s dhe FFK-së.
Ai theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera të FIFA-s me Kosovën dhe mbështetja e vazhdueshme për futbollin kosovar janë dëshmi e respektit që vendi ynë gëzon në familjen ndërkombëtare të futbollit.
“Vlerësoj lart afërsinë dhe përkushtimin që presidenti Infantino ka treguar vazhdimisht ndaj Kosovës, FFK-së dhe ndaj meje personalisht”, ka shkruar Ademi.
Kreu i FFK-së shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e vazhdueshme që FIFA dhe UEFA i kanë dhënë futbollit të Kosovës ndër vite, duke e konsideruar atë si një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e sportit dhe arritjen e sukseseve të reja.
Ademi u shpreh i bindur se bashkëpunimi me institucionet më të larta të futbollit botëror do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me synimin për të avancuar më tej futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare.

