Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Astrit Sherifi, ka reaguar ndaj kryetarit të Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me zhvillimet në qytet.
Sherifi ka kritikuar ashpër ish-kryetarin e Gjilanit, duke vlerësuar se gjatë mandateve të tij nuk janë realizuar projekte të rëndësishme kapitale për qytetin.
Sipas tij, projekti më i madh që Haziri e ka promovuar gjatë qeverisjes së tij ka qenë rruga e Kumanovës, investim që, sipas Sherifit, kapte vlerën prej rreth 2 milionë eurosh dhe që ende nuk ka përfunduar për shkak të problemeve të shumta.
“Prishtinalia paska reaguar për ‘mushkëritë e qytetit’. Paska gjetur kohë të flasë personi që për 8 vite mandat, projektin më të madh kapital e kishte rrugën e Kumanovës, me vetëm 2 milionë euro, e cila edhe sot nuk ka përfunduar për shkak të problemeve të shumta”, ka shkruar Sherifi.
Ai tutje ka thënë se qytetarët e Gjilanit e njohin mirë qeverisjen e Hazirit dhe se ai do të kujtohet për projektin e decentralizimit.
“Lutfi, Gjilani të njeh mirë. Përtej fjalëve, do të mbetesh në kujtesën e qytetarëve si njeriu që e copëtoi Gjilanin me projektin e decentralizimit. Andaj, rri në Prishtinë dhe lëre Gjilanin të ecë përpara me projekte madhore”, ka deklaruar Sherifi.
Reagimi i asamblistit të Vetëvendosjes vjen në kuadër të përplasjeve të vazhdueshme politike ndërmjet LVV-së dhe LDK-së në Gjilan./Radio Star/

