Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka shprehur ngushëllimet e tij pas aksidentit tragjik që ndodhi në Gjermani, ku humbën jetën dy vajza nga familja Zubaku, me prejardhje nga fshati Topanicë e Kamenicës.
Përmes një reagimi publik, Rahimaj e cilësoi këtë si një mëngjes të trishtë për Kamenicën, duke ndarë dhimbjen me familjarët dhe të afërmit e viktimave.
“I prekur nga lajmi për aksidentin e rëndë që ka ndodhur në Gjermani, ku humbën jetën dy vajzat e familjes Zubaku nga Topanica e Kamenicës. Në këto momente të rënda për familjen, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe bashkëndiejmë me ju për dhimbjen që po e përjetoni”, ka shkruar Rahimaj.
Ai u ka shprehur ngushëllime edhe miqve dhe të gjithë atyre që i kanë njohur vajzat, duke theksuar se nevojiten forcë, durim dhe kurajo për ta përballuar një humbje kaq të madhe.
“Ngushëllime e qoftë i përhershëm kujtimi për to”, përfundoi ai në mesazhin e tij.

