Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një mesazh të gjatë që thotë se e ka marrë nga një qytetar shqiptar që jeton dhe punon në Itali, duke e përdorur atë si përgjigje ndaj kritikave dhe protestave të fundit kundër qeverisë së tij.
Rama shkroi se nuk ka forcë që mund ta ndalë atë, Partinë Socialiste dhe mbështetësit e tij në “misionin drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë mesazh nga qindra që jo të gjithë kam mundur t’i lexoj… nuk ka forcë që na ndal, mua, ju, Partinë Socialiste e çdo qytetar pa parti që beson tek unë, në misionin tonë drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, shkroi Rama.
Advertisement
Mesazhi i publikuar nga kryeministri vjen nga një emigrant me origjinë nga Vlora, i cili i kërkon Ramës të mos japë dorëheqjen dhe e lavdëron për projektet infrastrukturore dhe turistike në vend.
“Mos e çoni as ndërmend të jepni dorëheqjen. Ju dhe Partia Socialiste keni punuar për një vizion që ne të rinjve të lindur ose rritur jashtë shtetit po na bën të ëndërrojmë të kthehemi në vendin tonë”, thuhet në mesazh.
Ai kritikon protestuesit në Tiranë, duke i përshkruar protestat si një formë argëtimi të përditshëm dhe duke pretenduar se shumë prej tyre nuk e kuptojnë pasojën e mundshme të rrëzimit të qeverisë.
Advertisement
Ai gjithashtu mbështet projektet turistike në Vlorë, përfshirë zhvillimin e zonave pranë aeroportit të ri dhe resortet turistike, duke argumentuar se Shqipëria duhet të synojë turizëm me vizitorë që shpenzojnë më shumë, e jo vetëm turizëm masiv.
Në mesazh ngrihen edhe shqetësime për korrupsionin, ndotjen, sigurinë në trafik, menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimet shëndetësore. Megjithatë, qytetari thekson se përgjegjësia për korrupsionin nuk duhet t’i faturohet vetëm Ramës.
“Korrupsioni është problemi i parë i këtij vendi, por kush e ka ndërgjegjen e pastër e di që njerëzit që korruptohen nuk janë faji i Edi Ramës”, thuhet në mesazh.
Në fund, emigranti shprehet se nuk pajtohet me çdo vendim të qeverisë, por vlerëson se Rama i ka dhënë Shqipërisë “një kthesë dhe një zgjim”, duke i kërkuar të vazhdojë drejtimin e vendit.

