Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nisur negociatat në Prishtinë për arritjen e një Marrëveshjeje dypalëshe mbi Bashkëpunimin Gjyqësor në Çështjet Penale.
Marrëveshja synon të krijojë një kornizë moderne juridike për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fushën penale, ku pritet të rregullojë fusha kyçe të bashkëpunimit gjyqësor, përfshirë ndihmën juridike të ndërsjellë, ekstradimin, transferimin e personave të dënuar, konfiskimin e pasurisë së përfituar nga veprat penale, si dhe formave të tjera të kriminalitetit të rëndë.
Gjithashtu, kjo marrëveshje do të mundësojë bashkëpunim më efikas ndërmjet autoriteteve kompetente të të dy shteteve si dhe harmonizim të procedurave të nevojshme të bashkëpunimit.
Negociatat pasqyrojnë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Austrisë dhe riafirmojnë përkushtimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e kriminalitetit ndërkufitar.

