Në kodrën e Perlepnicës së Gjilanit, aty ku dikur shtrihej një hapësirë e pabanuar dhe e pashfrytëzuar, sot ngrihet me krenari Vali Ranch Resort & Congress Center, një histori frymëzuese suksesi që këtë vit shënon 20-vjetorin e themelimit.
Pas këtij projekti madhështor qëndron vizioni, puna dhe përkushtimi i biznesmenit të njohur Fehmi Fetahu. Në një kohë kur pak kush besonte se në këtë kodër mund të ndërtohej diçka e jashtëzakonshme, ai u kthye nga mërgimi me një ëndërr të qartë dhe me vendosmërinë për ta bërë realitet.
Nga një ide e lindur në mendjen e tij, Vali Ranch u shndërrua në një “qytet të vogël” prej mbi pesë hektarësh, ku çdo detaj është ndërtuar me pasion, përkushtim dhe standarde moderne. Ky investim shumëmilionësh jo vetëm që transformoi kodrën e Perlepnicës, por krijoi vende pune për dhjetëra familje dhe solli zhvillim të rëndësishëm ekonomik për gjithë rajonin.
Fehmi Fetahu, i njohur si një ndër biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë në Zvicër, vendosi së bashku me familjen që një pjesë të kapitalit dhe suksesit të tij ta investojë në vendlindjen e të parëve të tij. Ky vendim rezultoi në krijimin e një prej destinacioneve më të vizituara dhe më të vlerësuara në Anamoravë dhe në Kosovë.
Sot, Vali Ranch Resort & Congress Center është shumë më tepër se një kompleks turistik. Ai është simbol i vizionit, guximit dhe besimit se ëndrrat mund të realizohen edhe aty ku të tjerët shohin vetëm pengesa. Për dy dekada me radhë, ky destinacion ka mirëpritur mijëra vizitorë nga Kosova, rajoni dhe diaspora, duke promovuar vlerat e mikpritjes dhe zhvillimit lokal.
Me rastin e 20-vjetorit, Fehmi Fetahu shpreh krenarinë dhe lumturinë që Vali Ranch është bërë pjesë e historisë së bukur të Anamoravës, një emër që tashmë njihet përtej kufijve dhe për të cilin flitet me respekt e admirim.
Një vizion i kthyer në realitet. Një investim që ndryshoi një rajon. Një histori suksesi që vazhdon të shkruhet./Radio Star/




