Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci, ka dalë me një paralajmërim publik drejtuar mërgimtarëve që udhëtojnë ose kalojnë tranzit nëpër territorin e Serbisë, duke u kërkuar kujdes të shtuar lidhur me përmbajtjet që mund të kenë publikuar në rrjetet sociale.
Sipas tij, qytetarët që kalojnë nëpër Serbi – qoftë vetëm tranzit apo me qëndrim të shkurtër – duhet të jenë të vetëdijshëm se postimet, komentet apo materialet e publikuara në platforma të ndryshme online mund të kenë pasoja ligjore në raste të caktuara.
Ai thekson se përmbajtje që mund të konsiderohet fyese, kërcënuese apo që interpretohet si nxitje e urrejtjes, në disa raste mund të jetë objekt i trajtimit nga autoritetet serbe, varësisht nga ligjet në fuqi dhe rrethanat konkrete të rastit.
Në paralajmërimin e tij, Koci thekson se në situata të tilla mund të ketë kontrolle shtesë, intervistime nga autoritetet kufitare apo policore, ndërsa në raste të caktuara, nëse ekziston bazë ligjore sipas legjislacionit të atij shteti, mund të hapen edhe procedura penale apo kundërvajtëse.
Ai u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me aktivitetin e tyre në rrjetet sociale, sidomos para dhe gjatë udhëtimeve ndërkufitare.
“kujdesi në internet sot është po aq i rëndësishëm sa kujdesi në rrugë”, është mesazhi që përcillet nga paralajmërimi i tij publik.
Koci apelon që ky mesazh të shpërndahet, me qëllim informimin e sa më shumë mërgimtarëve që udhëtojnë në këtë rrugë./Radio Star/


