Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podcast-it të tij “Flasim”, ndau detaje nga vizitat e zhvilluara gjatë javës në Francë dhe Poloni, duke u ndalur te takimi me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe pjesëmarrja në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës në Gdansk.
Rama bëri të ditur se në Paris zhvilloi një takim me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron, të cilin e cilësoi si një tjetër hap në forcimin e dialogut politik dhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Francës.
Sipas tij, gjatë bisedimeve u diskutua ecuria e projekteve të përbashkëta, si dhe mbështetja e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Kemi diskutuar mbi hapat e deritanishëm dhe proceset në vijim të integrimit, si edhe për zhvillimet që lidhen me të ardhmen e Bashkimit Europian. Franca ka një rol të rëndësishëm në shtyrjen përpara të perspektivës europiane të Shqipërisë dhe vendeve të tjera negociuese, duke kërkuar edhe mekanizma të rinj për zgjerimin,” u shpreh Rama.
Kryeministri iu referua edhe letrës së përbashkët të Presidentit Macron dhe Kancelarit gjerman Friedrich Merz, duke theksuar rëndësinë e vizionit të tyre për të ardhmen e Bashkimit Europian.
Në vijim, Rama u ndal te pjesëmarrja në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, të zhvilluar në Gdansk të Polonisë, ku, sipas tij, krahas mbështetjes për Ukrainën, u diskutua edhe arkitektura e ardhshme e sigurisë europiane.
Ai ritheksoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës dhe theksoi se rindërtimi i saj dhe afrimi i Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës me Bashkimin Europian duhet të trajtohen si pjesë e së njëjtës strategji.
“Sipas qëndrimit të Shqipërisë, rindërtimi i Ukrainës dhe integrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës në Bashkimin Europian nuk duhen parë si procese të ndara, por si pjesë e një qasjeje strategjike për një Europë më të qëndrueshme, më të bashkuar dhe më të sigurt”, deklaroi Rama.

