Këshilltari Kushtrim Kadriu ka kërkuar që në mënyrë urgjente të fillojë procesi i Dezinfektimit, Dezinsektimit dhe Deratizimit (DDD) në qytetin e Gjilanit, duke e cilësuar këtë çështje si me rëndësi të lartë për shëndetin publik dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kadriu thekson se në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, gjatë pikës “Pyetje dhe Përgjigje”, kishte planifikuar të adresonte një pyetje drejtoreshës Mimoza Kadriu lidhur me arsyet e vonesës së fillimit të procesit të DDD-së. Megjithatë, për shkak të zhvillimeve gjatë seancës, nuk pati mundësi ta paraqesë këtë pyetje në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Për këtë arsye, ai i është drejtuar me shkrim drejtoreshës, duke kërkuar sqarime zyrtare se kur pritet të nisë zbatimi i këtij procesi, i cili sipas tij është thelbësor për ruajtjen e higjienës publike, parandalimin e përhapjes së insekteve dhe brejtësve, si dhe për uljen e shqetësimeve që qytetarët po përjetojnë gjatë sezonit të verës.
Kadriu thekson se vonesa në fillimin e DDD-së mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe në rritjen e rreziqeve shëndetësore, duke kërkuar që institucionet komunale të veprojnë pa vonesë.
Ai apelon që procesi të trajtohet me prioritet dhe transparencë, në mënyrë që qyteti i Gjilanit të jetë i mbrojtur në mënyrë efektive gjatë muajve të nxehtë të vitit.

