REAGIM I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS – DEGA NË GJILAN DHE GRUPIT TË KËSHILLTARËVE TË LDK-SË NË KUVENDIN KOMUNAL
Lidhja Demokratike e Kosovës-Dega në Gjilan, së bashku me Grupin e Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal, shpreh shqetësimin e thellë për shkeljen e procedurave ligjore gjatë seancës së fundit të Kuvendit Komunal, konkretisht në pikën e shtatë të rendit të ditës, që kishte të bënte me zgjedhjen e Komisionit për emërimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në IEA në Gjilan.
Kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi Kqiku, në rrethana kaotike dhe pa pasur pamje të plotë të sallës apo koordinim të qartë me sekretarinë e Kuvendit, shpalli rezultatin e votimit si 17 vota pro, 1 kundër dhe pjesa tjetër abstenim, duke konstatuar se pika kalon me votën e saj vendimtare.
Megjithatë, sekretaria e Kuvendit konfirmoi se kanë qenë 2 vota kundër, çka nënkupton se rezultati real ishte 16 vota pro dhe 2 kundër, ndërsa numri i abstenimeve nuk u bë asnjëherë i ditur. Në këto rrethana nuk kanë ekzistuar kushtet ligjore për përdorimin e votës vendimtare të kryesueses, duke e bërë këtë veprim në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.
Ky nuk është një gabim teknik, por një veprim që shtrembëron vullnetin e këshilltarëve komunalë dhe cenon ligjshmërinë e vendimmarrjes në Kuvend.
I bëjmë thirrje kryesueses që ta korrigjojë këtë shkelje në seancën e ardhshme, duke anuluar këtë vendimmarrje dhe duke e rikthyer pikën për rivotim, ndërsa u bëjmë thirrje të gjithë këshilltarëve komunalë, pa dallim subjekti politik, t’i bashkohen mbrojtjes së ligjshmërisë dhe integritetit institucional.
Në të kundërtën, i gjithë procesi i formimit të Komisionit për emërimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në IEA rrezikon të kontestohet në gjykatë nga çdo palë që mund të pretendojë se është dëmtuar nga një procedurë e paligjshme.
Bllokadat politike nuk duhet të shndërrohen në shkelje të ligjit. Arsimi nuk duhet të bëhet viktimë e improvizimeve procedurale apo interpretimeve të gabuara. Respektimi i ligjit dhe i vullnetit të këshilltarëve është detyrim institucional dhe garancia e vetme për një proces të drejtë, transparent dhe të besueshëm.
Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Gjilan
3 korrik 2026

