Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit për kontrollin dhe ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit të qumështores VITA, duke kërkuar transparencë të plotë institucionale dhe respektim të procedurave ligjore.
Sipas OEK-së, pretendimet e kompanisë për tejkalim të kompetencave nga institucionet përgjegjëse janë serioze dhe kërkojnë sqarim të menjëhershëm.
“OEK vlerëson se pretendimet e ngritura nga kompania për tejkalim të kompetencave nga institucionet përgjegjëse janë serioze dhe, nëse vërtetohen, mund të përbëjnë cenim të sigurisë juridike të bizneseve dhe të besimit të investitorëve”, thuhet në reagim.
Oda thekson se siguria ushqimore dhe zbatimi i ligjit janë obligime të panegociueshme, por insiston që kontrollet inspektuese duhet të jenë profesionale, të paanshme dhe të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë.
“Kontrollet inspektuese duhet të jenë profesionale, të paanshme dhe të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë, duke shmangur çdo trajtim selektiv”, thekson OEK.
Në reagim, Oda Ekonomike e Kosovës vë në pah edhe ndikimin që mund të ketë rasti te ekonomia vendore, fermerët dhe zinxhiri i furnizimit.
Sipas të dhënave të kompanisë, VITA grumbullon mbi 20 milionë litra qumësht në vit nga më shumë se 1,000 fermerë në Kosovë, duke përbërë një hallkë të rëndësishme të sektorit agro-ushqimor.
OEK ka bërë thirrje për:
transparencë të plotë institucionale
respektim të procedurave ligjore dhe të drejtave të bizneseve
trajtim të barabartë dhe të paanshëm të operatorëve ekonomikë
politika të qëndrueshme për mbështetjen e prodhimit vendor
Në fund, Oda thekson se siguria ushqimore dhe mbështetja e prodhimit vendor duhet të ecin paralelisht, në interes të konsumatorëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

