Debati për veteranët e luftës së UÇK-së, është i vonuar dhe si i tillë mund të prodhojë efekte negative në rrethana në të cilat ndodhet vendi.
Shkruan: Ardian Azemi
Pyetjes se sa veteranë mund të jenë, më së miri i përgjigjen komandantët e zonave operative. Vetëm ata e dinë saktë sa ushtarë kishin nën komandën e tyre. Fort i bindur jam se shifrat që jepen për ushtarët e UÇK-së, janë të pa sakta dhe bëhen me qëllim të caktuar.
Nuk ishin as trembëdhjetë mijë, por as gjashtëdhjetë e pesë mijë. Por, sigurt ishin mbi njëzetë mijë, dhe nën tridhjetë mijë ushtarë të UÇK-së. Prapë themi, veç komandantët e zonave kanë mundësi ta dinë, nëse jo njëqind për qind, nëntëdhjetë e pesë për qind, po!
Problemi me listat e veteranëve nuk ka lindë së fundmi. Këto janë veç pasojat, ndërsa shkaku mbetet edhe më tutje i pa diskutuar. Në fakt, qëllimisht i pa diskutuar.
Është idiotizëm me ia hedhë tërë fajin partive politike të dala nga lufta, sepse të gjitha partitë kanë gisht në këtë fëlliqhane. Nuk është e pa mundur për ta kuptuar këtë, mjafton ti shohim listat, dhe saktë e dimë kush ku ka intervenua, dhe kush kujt ia ka mundësua të pajiset me certifikatë të veteranit.
Disi me duket e palogjikshme me fol për moral në këtë çështje, sepse krejt kjo ky proces është bërë në shpërputhje të plotë me moralin, ligjin, dhe pa parime.
Nuk kam arrit asnjëherë ta kuptoj qysh ka mundësi dikush që nuk ishte pjesë e luftës, të pranoj, madje të hulumtoj kanale që ia mundësojnë të pajisen me certifikata..?! Nuk e di qysh ka mundësi me u pa në sy me prindërit e tij fillimisht, dhe rrethin shoqëror..?!
Nga krejt kjo, më së vështiri e kanë veteranët e vërtetë. Imagjinoni kur një veteran i vërtetë shkon në bankë me marrë pagën e tij, dhe aty e takon duke marrë pagë për qëllim të njëjtë një rrenacak, ose një UDB-ash. Ndërsa, statusi i njëjtë, çlirimtar ky, çlirimtar edhe ai, me dokument!
Vështirë e përballueshme! Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të gjejë forma urgjente për ta përmbyllë këtë temë. Institucionet e vendit duhet të vendosin afate kohore, pa pasoja ligjore, për dorëzimin e certifikatave nga gjithë ata që përmes formave të ndryshme, pa meritueshëm janë pajisë me certifikatë të veteranit. Ndërsa, të gjithë ata që nuk e bëjnë një gjë të tillë, të sanksionohen sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.
Nuk guxojmë të lejojmë që të vazhdohet tutje pa e përmbyllë këtë temë. Ose duhet heqë dorë krejt ata që kanë rrejt, ose duhet heqë dorë këta që vërtetë ishin pjesë e luftës së UÇK-së. Assesi nuk duhet të lejojmë krahasime, mes një luftëtari të vërtetë dhe një matrapazi. Ose të njihet mundi dhe sakrifica e luftëtarëve të vërtetë, ose e atyre që duan të na bindin se ishin pjesë e luftës, e që realisht janë veç mashtrues.