Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se nesër nuk do të zbatohet vendimi për kufizimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve të transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas ministrisë, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, për ditën e nesërme nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara për zbatimin e këtij vendimi, i cili synon mbrojtjen e infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
“Ministria do të vazhdojë të monitorojë çdo ditë parashikimet meteorologjike dhe do të njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo rast kur plotësohen kushtet për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në komunikatën për media.

