Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme zbatimin e planit operacional të inspektimeve ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë aksionit të sotëm janë realizuar 14 inspektime. Si rezultat i kontrolleve, janë mbyllur edhe dy biznese të tjera për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm për ushtrimin e veprimtarisë, ndërsa dy biznese janë gjobitur për mosrespektim të orarit të punës.
IQMT rikujton se çdo subjekt ekonomik që ushtron veprimtari në këtë sektor është i obliguar të përmbushë të gjitha kërkesat ligjore, duke siguruar pëlqimin për kushtet minimale teknike nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e një tregu të rregullt, transparent dhe të sigurt.

