Banorët e një pjese të qytetit të Gjilanit kanë ngritur shqetësimin për mungesën e trotuareve dhe bllokimin e hapësirave të dedikuara për këmbësorë, duke i bërë thirrje Komunës së Gjilanit që të ndërhyjë sa më shpejt për zgjidhjen e këtij problemi.
Sipas tyre, situata është bërë alarmante, pasi këmbësorët detyrohen të ecin në rrugë për shkak se trotuaret mungojnë ose janë të zëna me materiale ndërtimore, vazo dhe pengesa të tjera.
Reagimi i banorëve vjen pas një aksidenti të ndodhur sot, ku një fëmijë i vogël u godit nga një veturë, ngjarje që ata e konsiderojnë si një sinjal të qartë se nevojitet ndërhyrje e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Sipas banorëve, në zonën pranë IP Petrol nuk ekziston trotuar për këmbësorët, ndërsa në anën tjetër, në drejtim të rrugës së Malishevës, te Qoshi, kalimi është bllokuar, duke i detyruar qytetarët të ecin në korsinë e automjeteve.
“Çdo ditë kalojnë fëmijë, të moshuar dhe familje në këtë rrugë, por nuk kanë ku të ecin. Jemi të detyruar të dalim në rrugë mes veturave. Aksidenti i sotëm duhet të jetë alarm për institucionet që të veprojnë pa vonesë,” shprehen banorët.
Ata kërkojnë nga Komuna e Gjilanit dhe organet kompetente që të lirojnë hapësirat publike të uzurpuara, të ndërtojnë trotuare funksionale dhe të marrin masa konkrete për garantimin e sigurisë së këmbësorëve.
Banorët theksojnë se siguria e qytetarëve, e veçanërisht e fëmijëve, duhet të jetë prioritet dhe se vonesat në zgjidhjen e këtij problemi mund të sjellin pasoja edhe më të rënda./Radio Star/

