Reagimi i Klubit Hendbollistik Drita është plotësisht i drejtë dhe duhet të jetë një alarm për të gjithë ne.
Si qytetar dhe në cilësinë e asamblistit të opozitës në Kuvendin Komunal të Gjilanit, nuk mund të hesht përballë këtij dështimi institucional. Madje, e ndiej edhe përgjegjësinë time si pjesë e Kuvendit që këto projekte, të premtuara e të stërpremtuara prej vitesh, ende nuk janë bërë realitet.
Fakti që KB Drita mbetet jashtë Superligës së Kosovës, jo për mungesë rezultatesh, organizimi apo vullneti, por për shkak të mungesës së një palestre që i plotëson kushtet, është një turp për institucionet tona dhe një pasqyrë e qartë e neglizhencës ndaj sportit.
Po aq shqetësuese është edhe zvarritja e projektit të palestrës sportive në Zhegër, Dy projekte jetike për sportin dhe rininë vazhdojnë të mbesin peng i premtimeve, ndërsa sportistët detyrohen të paguajnë çmimin e mosveprimit institucional.
Qeverisja komunale nuk mund të vazhdojë të justifikohet me arsyetime. Qytetarët nuk i votojnë institucionet për të dëgjuar ankesa, por për të parë rezultate. Premtimet zgjedhore nuk mund të mbesin slogane, ndërsa projektet kapitale të zvarriten pafundësisht.
Po ashtu, edhe përfaqësuesit e Gjilanit në nivel qendror duhet të japin llogari për angazhimin e tyre. Kur kërkojnë votën e qytetarëve premtojnë mbështetje për Gjilanin, por kur vjen koha për të siguruar investime konkrete, mungesa e rezultateve është e dukshme.
Si opozitë, do të vazhdojmë ta ngremë zërin dhe të kërkojmë llogaridhënie për çdo premtim të pambajtur. Gjilani meriton më shumë se propagandë politike. Meriton investime, vizion dhe përkushtim. Sporti nuk mbahet gjallë me konferenca për media e deklarata, por me punë, buxhet dhe projekte të realizuara.
Koha e arsyetimeve ka mbaruar, Është koha e përgjegjësisë.
Me respekt,
M. Haziri

