Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka vazhduar zbatimin e planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion, duke shqiptuar 2.012 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë periudhës 10–16 korrik 2026.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kësaj periudhe janë hetuar 22 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 18 aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, policia ka shqiptuar 31 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë, ka vendosur 32 masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike ndaj ngasësve që kanë kryer shkelje, ndërsa janë konfiskuar përkohësisht 11 motoçikleta.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve.
“Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e Policisë.

