Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 69 raste me fruth në vend.
Sipas përditësimit të fundit të situatës epidemiologjike, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar gjashtë raste të reja.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 21 raste, pasuar nga Ferizaji dhe Fushë-Kosova me nga 12 raste secila. Në Kaçanik janë raportuar shtatë raste, në Lipjan tre, ndërsa Vushtrria, Shtimja, Drenasi dhe Obiliqi kanë nga dy raste. Nga një rast është konfirmuar në Podujevë, Gjilan, Deçan, Skënderaj, Shtërpcë dhe Viti.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet sa më shpejt në institucionet më të afërta shëndetësore.
Instituti ka apeluar gjithashtu te prindërit dhe kujdestarët që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.

