Komuna e Gjilanit ka publikuar programin zyrtar të manifestimit tradicional “Ditët e Mërgatës – Rrënjët Tona”, i cili do të mbahet nga 25 korriku deri më 2 gusht 2026, duke sjellë një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe argëtuese për bashkatdhetarët dhe qytetarët.
Përgjatë tetë ditëve, Gjilani do të jetë qendër e koncerteve, ekspozitave, shfaqjeve artistike dhe aktiviteteve të veçanta, me pjesëmarrjen e emrave të njohur të muzikës, ansambleve kulturore nga vendi dhe diaspora, si dhe artistëve ndërkombëtarë.
Pjesa më e madhe e aktiviteteve do të zhvillohet në Sheshin “Agim Ramadani”, ndërsa programi përfshin edhe ekspozitën kolektive “Egzistenca 4” në Galerinë e Arteve, një shfaqje mysafire në Teatrin e Qytetit, si dhe një Stand-Up Comedy Night në Parkun Banja.
Ndër pikat kulmore të manifestimit janë koncerti “Atdheu mbi të gjitha”, mbrëmja folklorike “N’Karadak Krisin Tupanat” me ansamble nga 12 shtete të botës, si dhe koncertet me artistë të njohur vendorë.
Manifestimi organizohet nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, me synimin që përmes kulturës dhe traditës të forcojë lidhjet e mërgatës me vendlindjen dhe të krijojë një atmosferë festive gjatë sezonit veror.
Komuna fton të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët që t’i bashkohen aktiviteteve dhe të bëhen pjesë e kësaj jave të veçantë kushtuar mërgatës shqiptare./Radio Star/

