Haxhiu pritet sot të caktojë datën e seancës konstituive
Lajme
Gazeta Express 24/07/2026 8:06
Procesi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pritet të hyjë në një fazë të re gjatë ditës së sotme, kur ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të caktojë datën e mbledhjes konstituive. Sipas saj, seanca pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.
Haxhiu ka bërë të ditur se nuk e ka caktuar më herët datën e seancës për t’u lënë hapësirë partive politike që të vazhdojnë negociatat për zgjedhjen e presidentit.
“Në i kam mbështetur dhe i kam përshëndetur takimet që janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit aktual të Vetëvendosjes, zotit Albin Kurti. Siç e dini, ka pasur dy takime, një me PDK-në dhe një me LDK-në. LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme. Natyrisht që unë nuk komentoj çështjet e brendshme të partive politike, por është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit”, tha ajo.
Haxhiu mohoi gjithashtu se mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është arritur ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.
“Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte marrëveshje, sigurisht që do ta bënim publike. Në takim kanë qenë kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa nga ana tjetër zoti Abdixhiku dhe zonja Osmani-Sadriu. Ka pasur diskutime për rrugën që do ta ndjekim përpara, por jo marrëveshje”, u shpreh Haxhiu.

