Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që të votojnë kundër rikthimit në detyrë të gjyqtarëve serbë, të cilët dhanë dorëheqje në vitin 2022.
Duke komentuar reagimin e Bashkimit Europian, i cili kërkoi që të mos ushtrohet presion ndaj KGJK-së lidhur me këtë çështje, Haxhiu tha se askush nga partnerët ndërkombëtarë nuk do të pranonte që në shtetin e vet të kishte gjyqtarë apo prokurorë që, sipas saj, dirigjohen nga një shtet tjetër.
Ajo theksoi se partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht flasin për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë, duke pyetur nëse do të kërkonin që këshillat gjyqësore të merrnin vendime në kundërshtim me legjislacionin.
E pyetur nëse deklaratat e saj përbëjnë presion ndaj KGJK-së, Haxhiu e mohoi këtë, duke thënë se shqetësimi i saj lidhet me presionin që, sipas saj, mund të ushtrohet nga partnerët ndërkombëtarë.
“Kam pasur takime me ta dhe ua kam bërë të qarta përgjegjësitë e mia kushtetuese. Njësoj duhet të veprojnë edhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, duke u bazuar vetëm në ligj. Situata është e qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime”, deklaroi Haxhiu./Gazeta10

