Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se zgjidhja më e mirë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte që të vendosej kufiri i vitit 1956, ku Kosovës do t’i bashkëngjiteshin Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Haziri ka thënë se përfaqësuesit politik të Kosovës duhet të bashkohen dhe të tregojnë unitet në çështjet e rëndësishme të Republikës, dhe të mos veprohet sikurse në Maqedoni apo Serbi, ku opozita nuk tregon unitet.
Në një intervistë për RTK, Haziri ka kërkuar që Kosova duhet të gjejë një rrugë për zgjidhjen e problemit të saj, ndërsa për Maqedoninë le të kujdesën banorët e saj, po ashtu dhe për Bosnjën le të kujdesën banorët e saj. Ai këtë deklaratë bëri, në lidhje me kundërshtimet që po bëhen për ndryshimin e mundshëm të kufijve të Kosovës dhe Serbisë, pasi do të shkaktonte probleme tjera në Ballkan.
Duke folur për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, Haziri ka theksuar zona administrative e Preshevës, Bujanocit dhe pjesa më e madhe e Medvegjës i takojnë Kosovës, ashtu siç kanë qenë më parë.
“Nëse korridori 8 dhe 10 bien në territorin e Luginë së Preshevës, atëherë i bien Kosovës dhe jo Serbisë”, tha ai dhe shtoi se Serbia do të merrte disa fshatra të veriut të vendit, pa përfshi pjesët e Matricës.
Ai ka thënë se qëllimi i Serbisë nuk është me e marr vetëm veriun e Kosovës, por pretendon ta marrë deri në Moravë, por Haziri pohoi se Serbia e ka humbur Kosovën në vitin 1999.