Andi Shkodra ka dhënë sot betimin si anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, duke nisur zyrtarisht mandatin e tij si njëri ndër asamblistët më të rinj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë institucion.
Në një ceremoni zyrtare, Shkodra mori detyrën e re, duke e cilësuar këtë si një nga momentet më të rëndësishme të jetës dhe angazhimit të tij publik.
Përmes një reagimi publik pas betimit, ai falënderoi të gjithë qytetarët dhe mbështetësit që e përkrahën gjatë rrugëtimit të tij politik, duke premtuar se do të jetë zë i qytetarëve dhe përfaqësues i interesit të tyre në Kuvendin Komunal.
“Në jetë janë disa momente që mbeten përgjithmonë në kujtesë. E sot ishte pikërisht një nga këto momente. Sot filloi zyrtarisht një kapitull i ri i angazhimit tim publik, ku bëra betimin si anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, i cili është një nder i madh dhe një përgjegjësi edhe më e madhe për mua. Me përulësi dhe me respekt shumë të madh falënderoj secilin që më ka mbështetur dhe që ishte pjesë e rrugëtimit tim në fushatën time të parë si kandidat. Premtimi im është i thjeshtë: të jem gjithmonë pranë qytetarëve, të dëgjoj, të veproj dhe të punoj me ndershmëri për të mirën e Gjilanit. Faleminderit për besimin e dhënë. Më e mira është përpara, andaj rruga sapo ka filluar”, ka shkruar Shkodra.

