Të enjten në mëngjes, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale, në pikën kufitare në Merdarë të Podujevës, kanë arrestuar një shtetas të Republikës së Kosovës, me inicialet F.S., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Spiunazh” .
I dyshuari me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale përmes një komunikate të përbashkët kanë njoftuar se kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme në vlerë prej 39 mijë e 500 eurosh, para të gatshme në vlerë prej 500 dinarësh, 4 telefona celularë dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.
Prokuroria njofton se brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

