Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”, organizoi tryezën e diskutimit me temën “Sfidat përgjatë rrugëtimit drejt avancimit socio-ekonomik”.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte krijimi i një hapësire të hapur për diskutim dhe shkëmbim idesh ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve lokale, shoqërisë civile, sektorit privat, të rinjve, grave dhe akterëve të tjerë relevantë, me synim identifikimin e sfidave dhe mundësive për zhvillimin socio-ekonomik të Komunës së Kamenicës.
Gjatë debatit, pjesëmarrësit ndanë përvojat, pikëpamjet dhe rekomandimet e tyre lidhur me faktorët që ndikojnë në avancimin socio-ekonomik, si dhe propozuan ide dhe masa konkrete që mund të kontribuojnë në përmirësimin e politikave dhe iniciativave zhvillimore në nivel lokal.
Ndër rekomandimet kryesore të dala nga tryeza u veçuan:
forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale, shoqërisë civile dhe sektorit privat;
mbështetja e bizneseve lokale dhe iniciativave të reja;
përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit publik në zonat ku zhvillohen aktivitetet biznesore;
nxitja e punësimit, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë;
zhvillimi i bujqësisë dhe përkrahja e fermerëve përmes mekanizmave garantues;
tërheqja e investimeve vendore dhe të huaja;
shfrytëzimi i fondeve të Bashkimit Evropian dhe programeve të tjera zhvillimore;
zhvillimi i turizmit lokal dhe promovimi i potencialeve të Komunës së Kamenicës;
mbështetja e diasporës për investime dhe projekte zhvillimore në komunë;
krijimi i një klime të favorshme për investime dhe lehtësimi i procedurave administrative.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës, Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Zyra Ligjore, si dhe përfaqësues të bizneseve lokale, Zyrës së Punësimit, organizatës Handikos, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave lokale.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” financohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.

