ARKA FISKALE 285 €, NDËRSA SOT VETËM SOFTUERI 472 € – DIGJITALIZIM PO, POR A PO ULET REALISHT KOSTOJA?
U nis si ide për modernizimin e fiskalizimit, zvogëlimin e kostove dhe burokracisë. Por, nga ajo që po shihet deri më tani në treg, për një pjesë të bizneseve të vogla, shërbyese dhe të mesme, kostoja mund të rezultojë më e lartë se para UA 01/2026.
UA (MF) Nr. 01/2026 solli pritje të arsyeshme se kalimi drejt fiskalizimit elektronik do të modernizonte sistemin, do të zvogëlonte burokracinë dhe, mbi të gjitha, do ta bënte procesin më të thjeshtë dhe më pak të kushtueshëm për bizneset.
Digjitalizimi është hap i nevojshëm dhe duhet mbështetur. Por tani që po shfaqen kostot konkrete të zbatimit, pyetja që duhet shtruar është: a po përkthehet ky ndryshim edhe në ulje reale të kostos për biznesin, veçanërisht për bizneset e vogla?
Le t’i shohim shifrat:
🔹 Arka e thjeshtë fiskale: rreth 285 €
🔹 Mirëmbajtja: 67.50–116 €/vit
Ndërsa sot, sipas një oferte konkrete në treg:
🔹 Vetëm programi SEF: 472 €
🔹 Mirëmbajtja: 150 €/vit
🔹 Printeri termik: 40–150 €
🔹 PC/laptop: rreth 350 €, nëse nevojitet
🔹 + interneti dhe infrastruktura tjetër.
Për një biznes që nuk i posedon pajisjet e nevojshme, investimi fillestar mund të arrijë apo edhe të kalojë 1,000 €.
Për një krahasim të drejtë duhet thënë edhe ana tjetër: bizneset që në sistemin e vjetër përdornin printer fiskal rreth 590 € + program rreth 300 € + mirëmbajtje, mund të kenë kosto më të favorshme dhe më shumë funksionalitet me sistemin e ri.
Por çfarë ndodh me biznesin e vogël që deri dje e kryente fiskalizimin vetëm me arkën prej 285 €?
Pikërisht kjo kategori meriton vëmendje të veçantë.
Krahas kostos, nevojitet edhe qartësi e plotë për tranzicionin: deri kur përdoren pajisjet ekzistuese, kur bëhet kalimi në SEF, çfarë ndodh me mirëmbajtjen e paguar dhe cilat pajisje janë realisht të domosdoshme.
Biznesi duhet ta dijë qartë:
Çfarë duhet të blejë? Sa do t’i kushtojë? Dhe kur duhet të kalojë në sistemin e ri?
Mendoj se ia vlen të shqyrtohen disa alternativa:
✅ SEF BASIC falas ose me kosto minimale për bizneset që kanë nevojë vetëm për fiskalizimin bazik;
✅ treg i lirë për operatorët privatë dhe programet profesionale me funksione të avancuara;
✅ subvencionim i kostos fillestare për mikro dhe bizneset e vogla;
✅ periudhë e qartë tranzicioni, që biznesi të mos përballet me kosto të panevojshme të dyfishta;
✅ analizë zyrtare e kostos sipas kategorive të bizneseve, për të parë qartë kush kursen dhe kush paguan më shumë.
Digjitalizimi mbetet drejtimi i duhur.
Tani sfida është që qëllimi i reformës të reflektohet edhe në praktikë: më shumë funksionalitet, më pak burokraci dhe kosto sa më të arsyeshme për biznesin.
Sepse nëse arka prej 285 € konsiderohej e kushtueshme për biznesin e vogël, duhet të sigurohemi që digjitalizimi të mos e çojë atë drejt një investimi prej 1,000 € apo më shumë.
Digjitalizimi duhet ta lehtësojë biznesin – jo vetëm ta ndryshojë formën e kostos së tij.

