Institucionet komunale të Vitisë, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) kanë dënuar ashpër sulmin fizik dhe kanosjen ndaj specialistit të Mjekësisë Familjare, dr. A.Ç., në vendin e tij të punës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozharan.
Sipas reagimit të institucioneve komunale, rasti ka ndodhur gjatë kujdestarisë së natës, derisa mjeku ishte duke ushtruar detyrën e tij profesionale.
“Ky është një akt i papranueshëm dhe një cenim serioz i sigurisë, dinjitetit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë, të cilët çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve dhe të shëndetit të komunitetit”, thuhet në reagim.
Institucionet kanë theksuar se asnjë pakënaqësi, mosmarrëveshje apo rrethanë nuk mund të justifikojë dhunën fizike apo kërcënimet ndaj mjekëve, infermierëve, teknikëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë.
“Nuk mund të normalizohet dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë!”, thuhet në reagim.
Komuna e Vitisë e ka cilësuar veçanërisht shqetësues faktin që raste të tilla po përsëriten, duke kërkuar reagim të menjëhershëm institucional dhe masa për garantimin e sigurisë së punonjësve shëndetësorë në vendin e punës.
Institucionet komunale kanë bërë të ditur se rasti është raportuar menjëherë te organet e sigurisë dhe kanë kërkuar që ai të trajtohet me seriozitetin e merituar dhe që ndaj personave përgjegjës të ndërmerren masat e parapara me ligj.
“Dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë nuk është vetëm sulm ndaj individit, por është sulm ndaj institucioneve, shërbimit shëndetësor dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të marrë shërbime shëndetësore në një ambient të sigurt”, thuhet në reagim.
Komuna ka deklaruar gjithashtu se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore për krijimin e kushteve më të sigurta për profesionistët shëndetësorë dhe për çdo punonjës tjetër të sektorit publik gjatë ushtrimit të detyrave të tyre./Zëri

