Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të një prej figurave të rëndësishme të futbollit kosovar, Erdogan Celinës.
Në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të Celinës, Ademi e kujtoi atë si një futbollist ikonë, kapiten model, trajner dhe mbi të gjitha si një njeri të jashtëzakonshëm, i cili një jetë të tërë ia kushtoi futbollit.
Sipas Ademit, Celina la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit të Kosovës dhe u dallua gjatë gjithë jetës së tij për profesionalizmin, përkushtimin, respektin dhe humanizmin.
“Erdogan, faleminderit për gjithçka që i dhe futbollit të Kosovës. Faleminderit për miqësinë dhe respektin që na dhurove”, ka shkruar Ademi.
Në fund, presidenti i FFK-së i ka dhënë lamtumirën e fundit ish-kapitenit, duke theksuar se kujtimi për të do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së futbollit kosovar.
“Lamtumirë, kapiten! Do të mbetesh përgjithmonë në kujtesën e futbollit tonë.”

