Idriz Quni, kryetar i OVL-UÇK-së, Dega në Viti, ka njoftuar se veteranët e UÇK-së nga komuna e Vitisë që kanë nevojë për trajtim mjekësor do të mund të trajtohen falas te Dr. Xhevat Demiri në Gjilan.
Quni bëri të ditur se bashkëpunimi pritet të zyrtarizohet së shpejti edhe me marrëveshje me shkrim, duke falënderuar Dr. Demirin për gatishmërinë dhe përkrahjen ndaj veteranëve.
“Sot në Gjilan pata kënaqësinë të takohem me Dr. Xhevat Demirin, një mjek dhe atdhetar që kontributin e tij e dëshmoi edhe gjatë luftës së fundit, duke shërbyer si mjek në Zonën e Karadakut.
Në një bisedë shumë miqësore u dakorduam që veteranët e UÇK-së nga komuna e Vitisë, të cilët kanë nevojë për trajtim mjekësor, të mund të trajtohen falas tek Dr. Xhevat Demiri. Këtë bashkëpunim së shpejti do ta zyrtarizojmë edhe me marrëveshje me shkrim.
Mirënjohje të veçantë për Dr. Xhevat Demirin, i cili edhe pas kaq vitesh vazhdon të jetë pranë bashkëluftëtarëve dhe veteranëve, duke treguar se solidariteti dhe respekti mes nesh nuk përfundojnë me luftën.
Në emër të veteranëve të Vitisë, e falënderoj përzemërsisht për gatishmërinë dhe përkrahjen.
Idriz Quni
Kryetar i OVL-UÇK, Dega në Viti”

